Argumenti kundër udhëtimit

Plator Gashi
11 min readFeb 9, 2024
Diku në Bavari (foto: P. Gashi)

Na zvetënon duke na bindur se na fisnikëron.

Shkroi: Agnes Callard; përktheu dhe përshtati: Plator Gashi

Cili është dëftimi më bajat që u vjen njerëzve ta shprehin? Vota ime do të shkonte për: “Unë e dashuroj të udhëtuarit!”. Kjo s’të thotë faregjë për një njeri, sepse pothuaj çdokujt i pëlqen të udhëtojë; prapë, njerëzit e thonë sepse disi krenohen edhe për faktin që kanë udhëtuar, edhe për gëzimin që do të udhëtojnë në të ardhmen.

Tabori opozitar është i vogël por gjuhëbrisk. G. K. Chesterton shkruan se “të udhëtuarit ngushton mendjen”. Ralph Waldo Emerson ka quajtur të udhëtuarit “parajsë ahmakësh”. Sokrati dhe Imanuel Kanti — mbase filozofët më të mëdhenj në botë — kanë tumirur këtë pozitë heshturazi duke mos dalë dalë thuajse fare nga qytetet e tyre; për njërin Athina, për tjetrin Königsbergu. Sidoqoftë urrejtësi më i flaktë i të udhëtuarit i të gjitha kohëve qe shkrimtari portugez Fernando Pessoa; vepra e tij e shkëlqyer “Libri i Shqetësisë” është deng me indinjatë:

Më neverisin mënyrat e reja të jetesës dhe vendet e panjohura… Ideja e të udhëtuarit më ngjall të pështirë… Ah, po le të udhëtojnë ata që s’ekzistojnë!… Udhëtimi është për ata që s’ndiejnë dot… Vetëm varfëria e skajshme e imagjinatës përligj të bredhurit si kusht për të ndier.

Nëse të vjen ta shpërfillësh këtë deklarim thjesht si antagonizëm për sy e faqe, përpiqu ta zhvendosësh kundrinën e të menduarit nga udhëtimi vetjak tek udhëtimet e të tjerëve. Si në vendin e vet ashtu edhe jashtë, njeriu zakonisht i shmanget “turistërimit”. “Turizëm” e quajmë të udhëtuarit që bëjnë të tjerët. Dhe ndonëse njerëzit kanë dëshirë të flasin për udhëtimet e tyre, pak prej nesh na pëlqen t’i dëgjojmë. Ligjërimet e tilla u ngjajnë shkrimit akademik ose ritregimit të ëndrrave: pra trajtave të komunikimit që shtyhen më fort nga nevojat e prodhuesit sesa nga ato të konsumuesit.

Një argument i shpeshtë në favor të të udhëtuarit eshtë se kjo praktikë na ngre në një gjendje të ndritur, duke na arsimuar për botën dhe duke na lidhur me banorët e saj. Madje edhe skeptiku Samuel Johnson — që njëherë paskësh thënë “Për mua, dobia e të shkuarit në Francë ishte që mësova të kënaqem më shumë me vendin tim — ka pranuar që të udhëtuarit ka një prestigj të caktuar. Duke këshilluar mikun Boswell, Johnson sugjeroi të bënte një udhëtim në Kinë për hatër të fëmijëve të tij: “Do ta fitonin një lloj shkëlqimi… përherë do të shiheshin si kalamajtë e një burri që ka vajtur për të parë Murin Kinez”.

Të udhëtuarit çmohet si arritje: shih vende interesante, bëj përvoja interesante, bëhu njeri interesant. Por a është kështu përnjëmend?

Pessoa, Emerson dhe Chesterton besonin se të udhëtuarit jo vetëm që s’na avit me njerëzimin, por madje na shkëput nga ai. Na zvetënon duke na bindur se na fisnikëron. Le ta quajmë këtë: deluzioni i udhëtarit.

Për ta hetuar këtë gjë më tej, le të shkoqisim se çfarë nënkuptojmë me “të udhëtuarit”. Sokrati doli jashtë vendit kur ra kushtrimi për të marrë pjesë në Luftën e Peloponezit; pavarësisht nga kjo, ai nuk ishte udhëtar. Emerson kujdeset të kursejë kritikën për personat që udhëtojnë kur ua kërkojnë “nevojat” dhe “detyrat”. Ai s’ka gjë kundër përshkuarjes së largësive të mëdha “për hir të artit, studimit apo bamirësisë”. Një shenjë se ke arsye për të qenë diku është se s’ke ndjenjën për t’u përligjur dhe rrjedhimisht s’ke ndonjë shtysë për të mbledhur suvenire, fotografi ose rrëfime si prova. Le ta përkufizojmë “turizmin” si llojin e të udhëtuarit që i rreket interesantes dhe — në qoftë se Emerson dhe shkolla e vet kanë të drejtë — i del huq.

“Turisti është person me nge të përkohshme që viziton vullnetarisht një vend larg shtëpisë, enkas për të përjetuar një ndryshim.” Ky përkufizim është marrë nga parathënia e “Nikoqirë e Mysafirë”, një vëllim klasik shkencor mbi antropologjinë e turizmit. Pjesa e fundit është thelbësore: udhëtimi turistik ekziston për hir të ndryshimit. Por çfarë saktësisht ndryshohet? Ja një vështrim domethënës nga kapitulli përmbyllës i po të njëjtit libër: “Ka më pak gjasë që turistët të marrin nga nikoqirët sesa nikoqirët nga turistët, gjë që precipiton një zinxhir ndryshimesh në komunitetin pritës.” Vemi për të përjetuar ndryshim, por në fund shkaktojmë ndryshime tek të tjerët.

Për shembull, para një dekade kur isha në Abu Dabi bëra një vizitë me udhërrëfyes në një spital fajkonjsh. Bëra dhe një foto me një fajkua në krah. S’është se kam ndonjë interes për fajkonjërinë ose fajkonjtë dhe në përgjithësi s’i pëlqej takimet me kafshë jonjerëzore. Por spitali i fajkonjve qe një përgjigje për pyetjen “çfarë të bëjë insani në Abu Dabi?” Prandaj dhe shkova. Kam dyshimin se çdo gjë që ka të bëjë me spitalin e fajkonjve, duke nisur nga ndërtimi e duke mbaruar te misioni, formësohet dhe do të formësohet nga njerëzit si unë — ndryshuesit e pandryshuar, turistët. (Në murin e hyrjes më kujtohet të kem parë çmimet për “turistët ekselentë”. Mbani parasysh se po flitet për një spital shpezësh.)

Përse mund të jetë gjë e keqe për një vend që të formësohet nga njerëzit që vijnë për të udhëtuar me vullnetin e tyre të lirë, me qëllim të përjetimit të një ndryshimi? Përgjigjja është se njerëzit e atillë jo vetëm që s’e dinë se çfarë bëjnë por as përpiqen të kuptojnë. Më merrni mua për shembull. Duhet parë ndaras të pasurit aq pasion për fajkonjërinë sa të shkosh në Abu Dabi për ta ndjekur atë, nga të vizituarit e atij vendi më një frymë aspiruese që mbase jeta jote do të zhvillohet në një drejtim të ri. Unë nuk isha në asnjërën prej këtyre pozitave. Unë kisha hyrë në atë spital me sigurinë e plotë që jeta ime pasabudabiane do të përmbante aq pak fajkonjëri sa jeta ime paraabudabiane — pra bash zero. Nëse ikën për të parë diçka që as s’e çmon, as s’aspiron ta çmosh, s’je duke bërë gjë tjetër përveç lëvizjes së trupit.

Turizmi përfaqësohet nga karakteri i vet lokomotiv. “Shkova në Francë.” Mirë, por çfarë bëre atje? “Shkova në Luvër”. Mirë, por çfarë bëre atje? “Shkova për ta parë Mona Lizën. Është lokomocion i pastër.

Racionaliteti i posaçëm i turistëve i lejon të zhvendosen si nga dëshira për të bërë atë që pritet të bëjnë në një vend, ashtu edhe nga dëshira për të shmangur saktësisht atë që pritet ta bëjnë. Kështu erdhi puna që gjatë vizitës sime të parë në Paris e shmanga edhe Mona Lizën, edhe Luvrin. Sidoqoftë nuk shmanga lokomocionin. Kam ecur nga njëra qoshe e qytetit tek tjetra në vija të drejta; po të hiqeshin me laps shtigjet e shëtitjeve të mia në një hartë do të formohej një asterisk gjigant. Në shumë nga qytetet e mëdha ku kam jetuar dhe punuar, asnjëherë nuk do të më shkonte mendja të kaloja ditë të tëra duke ecur. Kur udhëton i pezullon standardet e zakonshme të asaj se çfarë llogaritet si shfrytëzim i vyer i kohës. I pezullon edhe standardet e tjera, duke mos dashur të kufizohesh nga shijet paraprake për ushqimin, artin dhe aktivitet zbavitëse. Tekembramja i thua vetes se i gjithë qëllimi i të udhëtuarit është të shpëtosh nga korniza e përditshmërisë. Por nëse normalisht i shmang muzetë dhe papritur i mësyn me qëllimin e përjetimit të ndryshimit, ç’punë do të kesh me pikturat? E pse pra të mos jesh në një dhomë plot me fajkonj?

Le t’i hyjmë pak më thellë çështjes se projekti i një turisti është pikërisht vetësabotimi. Këtë do ta ilustroj përmes dy shembujsh prej esesë “Humbja e Krijesës” nga shkrimtari Walter Percy.

Sipas të parit, një vizitor mbërrin në Kanionin e Madh të Kolorados. Para udhëtimit, në mendjen e tij është ngjizur ideja e Kanionit si një “kompleks simbolik”. Ai do të kënaqet nëse kanioni u përngjan fotografive dhe kartolinave që ka parë; ai madje do të mund ta përshkruajë atë si “po aq të bukur sa në kartolinë!”. Por nëse ndriçimi është i ndryshëm dhe ngjyrat e hijet nuk janë ashtu siç i ka pritur, do të ndihet sikur ia kanë bërë me hile — ndonëse thjesht ka arritur në një ditë të papërshtatshme. Në pamundësi për ta parë Kanionin drejtpërdrejt, i detyruar ta gjykojë vetëm përmes përqasjes me një imazh, vizituesi “mund thjesht të jetë i mërzitur; ose mund të jetë i ndërgjegjshëm për vështirësinë në fjalë — pra, që ajo gjëja madhështore që ia puth shollat disi po i përvidhet para syve”.

Sipas të dytit, një çift nga Iowa bredh me makinë nëpër Meksikë. Udhëtimin po e shijojnë, por janë paksa të pakënaqur nga pikat e zakonshme turistike. Ata humbin rrugën, kalojnë me orë të tëra përmes një rruge të gurtë malore dhe dikur, “në një luginë të vockël që s’gjendet as një hartë”, ndeshen në një katund që po shënon një të kremte. Ndërsa shikojnë katundarët duke kërcyer, turistët më në fund përjetojnë “një pamje autentike, një të tillë që është e lezetshme, piktureske dhe e pacenuar.” Prapëseprapë ata ndiejnë një dozë pakënaqësie. Kur kthehen në Iowa vetëm sa s’gufojnë para mikut të tyre etnolog: duhet të kishe qenë aty! Duhet të vish me ne të shkojmë sërish! Kur etnologu në fakt vete me ta, “çifti nuk i ndjek fare ngjarjet; në vend të kësaj vetëm ia ngulin sytë etnologut! Shpresa e tyre më e madhe është që miku ta quajë kërcimin interesant.” U duhet që përvoja e tyre “të certifikohet si prej vërteti”.

Turisti është karakter i nënshtruar. Ai lejon që përvojat e tij të përligjen nga etnologu, nga kartolinat, nga dituria konvencionale mbi atë se çfarë duhet të bësh a të mos bësh në një vend të caktuar. Ky nënshtrim, “të qenët i hapur ndaj përvojave” është pikërisht ajo që e bën turistin të paaftë të përjetojë. Emerson rrëfen: “Unë mësyj Vatikanin dhe pallatet. Shtirem se dehem nga pikat turistike dhe sugjerimet, por nuk jam i dehur”. Ai flet në emër të të gjithë turistëve që kanë qëndruar para ndonjë monumeti a pikture a fajkoi dhe kanë detyruar veten të ndiejnë diçka. Emerson dhe Percy na ndihmojnë të kuptojmë përse ky detyrim është i paarsyeshëm: të qenët turist nënkupton të kesh vendosur tashmë që ndjenjat e tua nuk kanë rëndësi. Se a është një eksperiencë autentike në mënyrën X nuk mund të gjykohet nga ti, një person që s’i përket X-it.

Një argument i ngjashëm mund të ngrihet edhe për impulsin e turistit që ta nderojë oqeanin e madh të njerëzimit. Ndërsa Percy dhe Emerson përqendrohen te estetikja, duke na treguar se si është e vështirë për udhëtarët t’i përjetojë përvojat ndijimore që i mësyjnë, Pessoa dhe Chesterton interesohen për etiken. Ata hetojnë përse udhëtarët vërtet s’ia dalin dot të lidhen me qeniet e tjera njerëzore. Gjatë bredhjeve të mia në Paris ua ngulja sytë njerëzve nergut për t’ua analizuar rrobat, çehren dhe ndërveprimet. Përpiqesha të shihja frëngërinë e frëngëve rreth meje. Kjo nuk është mënyrë për të bërë miq.

Pessoa ka thënë që ka njohur vetëm një “udhëtar të vërtetë me shpirt”: një nëpunës zyre që mblidhte broshura në mënyrë të obsesionuar, griste harta nga gazetat dhe mësonte përmendësh oraret e trenave mes destinacionesh të largëta. Djali i mbante në mend kurset e anijeve nëpër botë por nuk kishte dalë kurrë nga Lisbona. Chestertoni po ashtu i pëlqente udhëtarët stacionarë. Ai shkruante se ka diçka “prekëse dhe madje tragjike” që karakterizon “turistët e pakonsideratë që mund ta kishin mbajtur dashurinë për banorët e Laplandit, Kinës dhe Patagonisë brenda shtëpisë e tyre në Hampstead a Surbiton, po të mos ishte për impulsin e verbër dhe vetëvrasës për të shkuar që të shohin se si duken”.

Problemi nuk qe tek vendet e tjera, ose tek njeriu që donte t’i shihte, por tek ndikimi çnjerëzues i udhëtimit, që e hedh njeriun në mesin e njerëzve me të cilët komunikonte si spektator. Chesterton besonte se të dashurit gjënë e largët në mënyrën e duhur — pra, nga distanca — mundëson një lidhje më universale. Kur njeriu në Hampstead i përsiat të huajt “në mënyrë abstrakte… si të tillë që punojnë, i duan fëmijët e tyre dhe vdesin, ai ka kapur të vërtetën fundamentale për ta”. “Lidhja njerëzore që ndien në shtëpi nuk është iluzion”, shkruan Chesterton. “Ajo është në të vërtetë një realitet i brendshëm.” Udhëtimi na pamundëson të ndiejmë praninë e atyre që kanë udhëtuar aq distanca të gjata për të qenë kaq afër.

Fakti më i rëndësishëm për turizmin është ky: ne dimë që nga fillimi se kush do të jemi pasi të kthehemi. Pushimi nuk është sikur të mërgosh në një vend të huaj, të regjistrohesh në një universitet, të nisësh një punë të re a të dashurohesh. Ne i shkelim këto shtigje me ankthin e dikujt që hyn në një tunel dhe s’e di se kush do të jetë kur të dalë në anën tjetër. Udhëtari niset me bindjen se do të kthehet përgjithësisht me të njëjtët interesa, të njëjtat bindje politike dhe të njëjtën situatë jetësore. Udhëtimi është bumerang. Të kthen po aty ku je nisur.

Nëse mendon se kjo s’vlen për ty — që udhëtimet e tua janë magjike dhe të thella, me efekte që zgjerojnë vlerat dhe horizontet e tua, që të bëjnë njëmend qytetar të globit, e kështu me radhë — ta kesh parasysh që kjo dukuri s’vlerësohet dot në vetën e parë. Pessoa, Chesterton, Percy dhe Emerson ishin të ndërgjegjshëm që udhëtarët i thonë vetes se kanë ndryshuar, por nuk mund të mbështetesh tek introspeksioni për ta shquar një deluzion. Në vend të kësaj, kundro ndonjë mik që së shpejti do të bëjë ndonjë aventurë verore. Në çfarë gjendje pret ta gjesh kur të kthehet? Mbase do të flasë për udhëtimin si diçka transformative, diçka “që s’do t’i ndodhë më kurrë në jetë”, por a do t’ia dalësh ta vëresh ndonjë ndryshim në sjelljen e tij, në besimet e tij apo në busullën morale të tij? A do të ketë fare ndonjë ndryshim?

Udhëtimi është argëtues, prandaj edhe s’është ndonjë mister përse na pëlqen. Ajo që është mister, është përse e veshim me një domethënie të thellë, me një aura të virtytshme. Nëse pushimi është thjesht ndjekja e një ndryshimi që s’të ndryshon, një përqafim i asgjësë, përse këmbëngulim se ka kuptim?

Detyrohemi të sjellim përfundimin që nuk është edhe aq e lehtë të mos bëhet asgjë fare— dhe kjo i jep një zgjidhje enigmës. Imagjinojeni si do të ishte jeta sikur të merrnit vesh se s’do të mund të udhëtonit më kurrë. Nëse nuk planifikoni të bëni ndonjë ndryshim të madh në jetë, perspektiva e lemerishme më pas do të ishte: “Edhe pak nga kjo gjëja që po bëj dhe pastaj do të vdes”. Udhëtimi e ndan këtë gjithësi të madhe kohore në copën që ndodh para udhëtimit dhe copën që ndodh pas tij, duke e turbulluar pashmangshmërinë e asgjësimit. Dhe këtë e bën në mënyrën më të mprehtë të mundur: duke të të dhënë një shije paraprake. Me siguri s’ke dëshirë të mendosh për faktin që një ditë s’do të bësh asgjë dhe s’do të jesh askushi. Ti vetëm do t’ia lejosh vetes një shije paraprake të kësaj gjëje përbrenda një narracioni ku ti bën shumë gjëra zemërkënaqëse dhe fisnikëruese: ti po përjeton, ti po lidhesh me njerëzit, ti po transformohesh dhe ti ke suveniere e fotografi për t’i përligjur tërë këto gjëra.

Sokrati ka thënë që filozofia është përgatitje për vdekjen. Të tjerëve u mbetet udhëtimi.

— — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — — —

Artikulli origjinal: https://www.newyorker.com/culture/the-weekend-essay/the-case-against-travel

Vini re: Të gjitha të drejtat i takojnë autores dhe platformës The New Yorker. Ky përkthim nuk ka qëllime fitimprurëse dhe është botuar në gjuhën shqipe vetëm për arsye edukative dhe informative. Sidoqoftë, ribotimi i përkthimit ndalohet rreptësisht pa lejen e shprehur të përkthyesit.

--

--

Plator Gashi

Linguist, writer, teacher, translator, and musician based in Munich. Mostly posts about literature and language. Find me on Instagram: @platuer_