Mbi vorrin tem mos rri tu vajtu (M. E. Frye)
Nuk jam aty; nuk jam tu pushu…
(Përkthyer nga Plator Gashi)
Autorja: Mary Elizabeth Frye
Mbi vorrin tem mos rri tu vajtu,
Nuk jam aty; nuk jam tu pushu.
Unë jam nimijë fllade qi udhtojnë nëpër ajrí,
Jam xixat mbi borë qi vizllojnë për bukurí.
Jam dielli qi e zdrit grunin pranveror,
Jam shiu i lehtë, i amël vjeshtor.
N’qetësim t’mëngjesit kur gjumi t’del,
Jam turri i lumtun qi veshin ta merr
i zojve të shtrum qi sillen n’fluturim,
Jam yjzit e natës qi ndrijnë në terrim.
Mos rri mbi vorrin tem tu kajtë, tu u mekë,
Un nuk jam aty; une nuk kam dekë.
-
Mary Elizabeth Frye, e lindur më 13 nëntor 1905 në Dayton, Ohio, ShBA, njihet më së shumti për poezinë në fjalë, e cila u shkrua në vitin 1932. Thuhet se kjo poezi është frymëzuar nga Margaret Schwarzkopf, një vajzë hebreje që banonte në shtëpinë e autores dhe që s’mund ta vizitonte nënën e sëmurë në Gjermani për shkak të antisemitizmit. Frye shpërndau poezinë përmes kopjeve private, por kurrë nuk e botoi. Ajo vdiq në vitin 2004 në moshën 98 vjeçe.