Ode Pranverës (Mesihi i Prishtinës)

Plator Gashi
3 min readMar 22, 2020

Se çka asht pranvera merret vesh pos në verë…

Shtoj, korrik 2019 (nga Plator Gashi)

(Përkthyer nga Plator Gashi)

Autori: Mesihi i Prishtinës

Dëgjoje bylbylin, këqyr,
ditët e pranverës kanë ardhë,
Të gjitha kopshtijet janë joshë prej jetës,
të ngjalluna nga stina e beharit.
Dhe nga drujt’ pranverorë të bajameve pluskojnë lule të argjendta,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Kopshtijet e luginat prapë janë zbukuru me lulesa të reja,
Lozet kacavjerrëse thuren për të ba çadër gazmendi,
Kush ka me e përshendetë pranverën tjetër gjallë, e kush dekë?
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

I gjithë kopshti rrezaton me hirin i Ahmetit
Kunora lulesh e kërcej të blertë, asi lloj virtytesh
janë Shoqnuesit e Profetit,
O besimtarë, tash asht koha për dalldi e qejf,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Sumbullat e ujit stolisin fletët e zambakut me xhevahirë,
Si gjyle, tulipanët çelin nëpër qiej,
Në koftë se dëshiron kënaqësi e argëtim, gjegji fjalët e mia,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Faqet e kujt janë ma të kandshme se të trandafilit e tulipanit,
Vesa pikon si gjerdan nga veshët e tyre,
Mos u mashtroni, mos kujtoni se zgat përgjithmonë,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Tulipani, trandafili e bozhurja në mriz
Nga nji brisk shiu, si rrufe, çpohen e kullojnë gjak,
Nëse e don kohën tande, kaloje me të dashunit e tu,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Koha kur natyra ka ndejtë shtrimë përmbys në shtrat ka kalu,
Kur trandafilat, të dëshirueme për sytha, vorën kryet,
Tash janë pjekë punët që tulipanët e kuq me lodru nëpër kod’r’e lug,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Kur agu lan trandafilat me margaritarë shiu,
Kur flladi i sabahut përhap myshk tatari nëpër botë,
Mos hup kohë teksa dynjaja dëfrehet me dashni,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Ajri i parfumuem vizllon nga shtretnit
e luleve erëmira,
Dhe piklat e vesës bien në tokë si spërka uji trandafilash,
Teksa qielli, në re temjani,
ul qemerin mbi petla,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Era vjeshtore e vjetme ka përfshi kopshtin,
Dhe mbreti i dynjasë prapë u ka pru drejtësi tetanëve,
Nën sundimin e tij, vena ka nisë me rrjedhë, shërbëtori rrin buzagaz,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

Le të shpresojmë, Mesihi, se këto vargje bahen me nam
Dhe jetojnë në kujtesë si ata burrat musteqehollë,
Bylbyl kangambël, lype nji ftyrë të brishtë si ajo e trandafilit,
Pi e kënaqu, se ditët e pranverës shpejt kanë me kalu.

-

Mesihi i Prishtinës (1470, Prishtinë — 1512, Stamboll) i njohur në turqishte si Priştineli Mesihi, ishte një nga poetët më të njohur të fundit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit të XVI në Perandorinë Osmane, dhe ndër poetët më të hershëm shqiptarë në përgjithësi.

Ma tepër këtu:
https://en.m.wikipedia.org/wiki/Mesihi_of_Prishtina…

(Përkthimi osht dytësor, prej versionit anglisht të Robert Elsie, i cili e përktheu nga origiinali në osmanishte).

--

--

Plator Gashi

Linguist, writer, teacher, translator, and musician based in Munich. Mostly posts about literature and language. Find me on Instagram: @platuer_