Tri vjersha

Plator Gashi
4 min readFeb 6, 2024

--

Mynihu me borë (Foto: P. Gashi)

“Çka i vyen allahile vjershës me pasë titull? A lajm gazete po të doket që po shkruen a? Vjersha s’e ka për detyrë me u dhanë përgjigje kushit, çkasë, psesë, kurës, kusë e qyshit. Vjersha veç çka të shtron pyetje të reja, bile prej atyne që hala s’u kanë vu emën”. — Pasgush Loradeci

#1

sa mirë mos m’e ditë
sa fije bari t’i gërvëlisin shputat
tek i mësyhesh liqenit
për m’e shu zjarrminë e lëkurës
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
sa pikla shiu të ranë mbi krye
derisa ia dole me e shpështjellë
çadrën e vjetër e të vjedhme
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
sa hapa i kam ba gjatë gjithë jetës
e sa të tjera do t’i baj
pa marrë n’thu
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
sa orë ndejtëm larg shoqi-shojt
e për sa të tjera
do t’lutem mos me i ditë në t’ardhmen
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
kur do ta marr frymën e fundit
dhe a do t’ketë erë dardhe
a shege
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
a ka me u shkymbë najherë dielli
sikur ata qi rrnuen e mbaruen
e qi s’e muerën kurrë vesh
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
se a do t’botohet ndoniherë kjo vjershë
se n’koftë të botuemit me i dhanë diçka botës
kjo punë tashma u kry
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
sa fotoja u ba kët’ muej te New Born-i
e sa prej atyne fotove
zhduken ndër foto të tjera resh e qensh
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
se kur do t’flas me ty për herë te fundit
se s’isha duru, si gramafon i prishtë,
tue thanë “të du”
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
a sos dikur kjo vjershë
edhe mbasi t’ia qes pikën
se çdo rrebesh nis me ni pikë
sa mirë mos m’e ditë

sa mirë mos m’e ditë
edhe sa ditë do t’erren
e sa net do t’zdriten
e sa syresh do t’i kujtoj

sa mirë mos m’e ditë
sa mirë mos me ditë.

#2

n’e níssha prapë duhanin, Zot mos e ban,
dro se jes pa pare t’ima për me ta ble ‘i çokollatë
rrugës për në shpi;
ndonëse e hjek zhigun te dera e dugajës
edhe jau qes mendimeve ni tapë letre për do çaste
edhe më vjen era stërvinë
edhe e ndrroj nji llaf me argatin qi m’gjen shkrepse
edhe e përclloj tulin e gishtit
edhe luej me tymin
edhe mendoj se sa gat mbas ksaj duhet m’e dhezë tjetrën
edhe e vuej mungesën e nji gërrçame kafe
edhe soditi kinselirinë e bashkënjerëzve qi luzmojnë udhëve
edhe u marr lakmi se sa të pagajle janë
edhe mënihem me veten qi po merrna me punë t’hallkut
edhe përankthem se po më soset cingarja
edhe shpërankthem kur kujtoj paqetën në xhep
edhe kullna mirë e e nxjerr nji sahan këlbazë
edhe vazhdoj shetinë me ma pak jetë përpara
edhe ndiej se kinse kam pushtet mbi gatësinë a shkurtësinë e jetës,
prapëseprapë ma mirë me i rujtë t’imat për ‘i çokollatë
e me harru sa e gatë e e çalë e picimule asht jeta
e sa e shkurtë e e beharshme e madhështore më duket
kur të shoh
tu e hangër
e tu mos e fshi njollën prej cepit të buzës
e tu ma falë pjesën tjetër
e kështu tu e shuguru me ma shumë kuptim
se kur ish tu u kotë në raft të dugajës —
kur e hangra e më mbet njolla edhe mue
u ba jeta aq e shkurtë
sa rrojtja e dy njollave të zeza në diell
qi rrëgjohen sahora
e u lëshojnë udhë rrezeve
qi 8 minuta-dritë ma larg
me çelë pjeshka te penxherja jote.

#3

nuk shkova, po më muer era për dore
siç e merr tymin e duhanit qi të del buzësh
tek më difton, në ndonji ballkon ku menxi na nxen hapin,
për zhgënjimthet ditore e mallin për të papërjetuemen,
qi trupëzohen si nji lot i vetëm qi të rrjedh nga bishti i synit
e përshkëllihet në mollëzën teme tek më merr ngrykë
e zhdukesh në anën tjetër të xhamit.

më çoi aty ku e çon çdo plaçkë tjetër:
në vendin e njajtë
por dukshëm të lënduem nga gërvishtjet e degëve,
dhe të shkulun nga toka e bukës
me rranjët përjashta, ku prehen krymba e ushunjëza
po ma nuk më pengojnë.

habi asht takati për me u zvarritë tutje
tu e ditë se prapë kam me e kapë erën për dore
e ka me m’kapërhedhë nëpër kunora lisash
për me ra sërish në tokë, me grritha të reja në mollëza,
tu e lypë lotin e huej me u terë mbi lëkurën teme
e me e harrue kur edhe nji herë tjetër njomet faqja.

herën e fundit rashë në nji zabel, rranjët jashtë si gjithnji
e i pashë së largu do fluturashka prushi qi më grishnin.
vuna re flakët e nji zjermi bubulak të braktisun qëmoti
dhe erën qi përpiqej me e kapë për dore e me ia hjekë flamën;
përpëlitja vazhdoi me orë të tana, po zjermi nuk dorëzohej,
madje bahej ende ma madhështor nga dora e kobshme
e erës qi, tu dashtë me e shkymbë, vetëm sa e fisnikonte.

pasi fitoi bejlegun, iu afrova zjermit për me marrë mësim
po kështu u thanë përfundimisht lotët e pështyma e huej
qi peshonin mbi cepat e buzëve të mia.

Shkroi: Plator Gashi

Vërejtje: Të gjitha të drejtat i takojnë autorit. Ndalohet rreptësisht rishpërndarja e materialit në platforma të tjera pa lejen e shprehur të autorit.

--

--

Plator Gashi
Plator Gashi

Written by Plator Gashi

Linguist, writer, teacher, translator, and musician based in Munich. Mostly posts about literature and language. Find me on Instagram: @platuer_