Çavër, çavër, çelma derën!

Plator Gashi
3 min readMar 23, 2020

Marrë prej “Nga Folklori Ynë I”, Anton Çetta, 1985.

Miller Cabin, Rock Creek Park, Washington D.C.

(Fjalë për fjalë nga origjinali, me ndonjë ndërhyrje teknike)

Ish kanë ni grue tu jetue n’ni shpi e e kish pasë ni çikë. E kish pas majtë n’shpi edhe ni çikë jetime, t’pa nanë e t’pa babë. Kët çikën e dytë e kishte gjetë n’rrugë t’pa kërkan. E kishte pasë grueja ni mulli. At mulli shkojshin me rue të dy çikat — jetimja me nanë e jetimja pa kërkan.

Kur shkojke çika qi e kish nanën, nana i gatuejke bukë pogaçe edhe ja dhâke me vedi. Jetimes i qitke bukë kallamoqe.

Ni natë shkoi me e rue mullinin jetimja qi s’kish kërkan. E muer me vedi qenin, macën edhe knuesin. Sa mrrini n’mulli, muer e po han darkë. Hajke darkë me shka kish pasë e i jepke edhe qenit edhe knuesit edhe macës me hangër. N’gjysë nate erdh ni sên te dera edhe po pisket:

Çavër, çavër, çelma derën!

Çika u frigue edhe po i thotë qenit:

Leh!

Qeni lehi; ai iku. Mas pak kohe erdh apet te dera e mullinit e po pisket:

Çavër, çavër, çelma derën!

Brit, macë! — i tha jetimja macës.

Maca briti e ai iku. Pak para sabahit erdh apet tu dera e mullinit.

Çavër, çavër, çelma derën!

Kno, knues! — i tha jetimja knuesit.

Knuesi knoi e ai iku. U ba sabah.

T’dytën promje, ajo çika qi ish me nanë shkoi m’e rue mullinin. Emnin e kish pasë Mllî. Kur niset për mulli, e merr knuesin, e merr qenin, e mer macën me vedi. Kur han darkë n’mulli, e han krejt bukën vetë e s’i qet as qenit, as macës, as knuesit. Kur u ba gjysa e natës, ai sêni erdh apet n’derë t’mullinit. Po pisket:

Çavër, çavër, çelma derën!

Leh, qen! — i tha çika.

Jo, valla, se s’m’ke qitë bukë.

Çavër, çavër, çelma derën! — piskati apet ai sêni.

Brit, macë!

Jo, valla, se s’m’ke qitë bukë.

Çavër, çavër, çelma derën! — piskati s’treti ai sêni

Kno, knues!

Jo, valla, se s’m’ke qitë bukë.

Çavër, çavër, çelma derën! — E theu derën e hini mrêna. E muer çikën edhe e hangër. Zorrët ja muer edhe ja pshtilli për mullini. Kaçikët e kamve ja qiti n’pemë, n’qurshi.

Prit nana se po i shko’ çika natje n’shpi, s’ka. Prit, s’ka. U çue nana e u detyrue me shkue vetë tu mullini. Edhe p’e thrret t’bijën:

Oj Mllî, oj Mllî, oj Mllî! — S’ka. Çika s’u nike e gjallë kërkun.

Ai sêni qi e kish hangër çikën po ban:

Mllî, Mllî,
zorrët e pshtjellne për mulli,
kaçikët e vjerrun për qurshi!

Kur u afrue nana e kqyri, gjitha zorrët e çikës i gjet rreth mullinit edhe kaçikët e çikës i pau n’qurshi vjerrun.

-

Ribotim nga blogu im tjetër: https://platorgashi.wordpress.com/2016/05/14/caver-caver-celma-deren/

--

--

Plator Gashi

Linguist, writer, teacher, translator, and musician based in Munich. Mostly posts about literature and language. Find me on Instagram: @platuer_