Çavër, çavër, çelma derën!
Marrë prej “Nga Folklori Ynë I”, Anton Çetta, 1985.
(Fjalë për fjalë nga origjinali, me ndonjë ndërhyrje teknike)
Ish kanë ni grue tu jetue n’ni shpi e e kish pasë ni çikë. E kish pas majtë n’shpi edhe ni çikë jetime, t’pa nanë e t’pa babë. Kët çikën e dytë e kishte gjetë n’rrugë t’pa kërkan. E kishte pasë grueja ni mulli. At mulli shkojshin me rue të dy çikat — jetimja me nanë e jetimja pa kërkan.
Kur shkojke çika qi e kish nanën, nana i gatuejke bukë pogaçe edhe ja dhâke me vedi. Jetimes i qitke bukë kallamoqe.
Ni natë shkoi me e rue mullinin jetimja qi s’kish kërkan. E muer me vedi qenin, macën edhe knuesin. Sa mrrini n’mulli, muer e po han darkë. Hajke darkë me shka kish pasë e i jepke edhe qenit edhe knuesit edhe macës me hangër. N’gjysë nate erdh ni sên te dera edhe po pisket:
— Çavër, çavër, çelma derën!
Çika u frigue edhe po i thotë qenit:
— Leh!
Qeni lehi; ai iku. Mas pak kohe erdh apet te dera e mullinit e po pisket:
— Çavër, çavër, çelma derën!
— Brit, macë! — i tha jetimja macës.
Maca briti e ai iku. Pak para sabahit erdh apet tu dera e mullinit.
— Çavër, çavër, çelma derën!
— Kno, knues! — i tha jetimja knuesit.
Knuesi knoi e ai iku. U ba sabah.
T’dytën promje, ajo çika qi ish me nanë shkoi m’e rue mullinin. Emnin e kish pasë Mllî. Kur niset për mulli, e merr knuesin, e merr qenin, e mer macën me vedi. Kur han darkë n’mulli, e han krejt bukën vetë e s’i qet as qenit, as macës, as knuesit. Kur u ba gjysa e natës, ai sêni erdh apet n’derë t’mullinit. Po pisket:
— Çavër, çavër, çelma derën!
— Leh, qen! — i tha çika.
— Jo, valla, se s’m’ke qitë bukë.
— Çavër, çavër, çelma derën! — piskati apet ai sêni.
— Brit, macë!
— Jo, valla, se s’m’ke qitë bukë.
— Çavër, çavër, çelma derën! — piskati s’treti ai sêni
— Kno, knues!
— Jo, valla, se s’m’ke qitë bukë.
— Çavër, çavër, çelma derën! — E theu derën e hini mrêna. E muer çikën edhe e hangër. Zorrët ja muer edhe ja pshtilli për mullini. Kaçikët e kamve ja qiti n’pemë, n’qurshi.
Prit nana se po i shko’ çika natje n’shpi, s’ka. Prit, s’ka. U çue nana e u detyrue me shkue vetë tu mullini. Edhe p’e thrret t’bijën:
— Oj Mllî, oj Mllî, oj Mllî! — S’ka. Çika s’u nike e gjallë kërkun.
Ai sêni qi e kish hangër çikën po ban:
— Mllî, Mllî,
zorrët e pshtjellne për mulli,
kaçikët e vjerrun për qurshi!
Kur u afrue nana e kqyri, gjitha zorrët e çikës i gjet rreth mullinit edhe kaçikët e çikës i pau n’qurshi vjerrun.
-
Ribotim nga blogu im tjetër: https://platorgashi.wordpress.com/2016/05/14/caver-caver-celma-deren/